Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një rast të grabitjes, që ndodhi dje në qendër të qytetit të Prizrenit, ku nje shtetas japonez është grabitur nën kërcënimin e thikës nga tre persona të dyshuar.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas punës hetimore të Policisë, është arritur që të arrestohet i dyshuari i parë, i cili është i mitur, teksa po bëhen përpjekjet për të arrestuar të dyshuarin e dytë dhe për të identifikuar të dyshuarin e tretë.
I mituri është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Grabitje’.
Me vendim të prokurorit ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh.
Çka i grabitën tre të dyshuarit shtetasit japonez dhe si ndodhi ngjarja?
Burimet thonë se gjithçka ndodhi në pikë të ditës, derisa viktima, 41-vjeçar po kalonte rrugën, kur papritmas i dolën përpara të dyshuarit. Përveç që e terrorizuan me veprime agresive, Sinjali mëson se ata nxorën edhe disa thika.
Nën kërcënimin e tyre, tre hajnat arritën t’ia marrin me forcë portofolion, në të cilin kishte një shumë të parave të gatshme dhe disa kartela bankare.
Përveç që e kanosën seriozisht, të dyshuarit edhe i përdorën mjetet e mprehta, duke i shkaktuar lëndime trupore 41-vjeçarit, që i pësoi gjatë përballjes me ta.
Ajo që dihet deri më tani është se Policia është aktivizuar për t’i kapur personat e përfshirë në këtë rast.
Ndërkohë edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për rastin dhe posa të prangosen të dyshuarit, pritet të merren veprimet e tjera hetimore.
Gazeta Sinjali posedon informacione më të hollësishme për personat e përfshirë në rast, por me qëllim të mos dëmtimit të hetimeve, për momentin nuk do t’i bëjë publike.