Policia gjatë ditës së djeshme ka kontrolluar një lokal në Prishtinë, të dyshuar për shitje të narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas raportit të policisë, në momentin që ka hyrë policia në lokal, i dyshuari ka hedhur në guacën e tualetit pesë qese me substancë që dyshohet të jetë kokainë me peshë 1.83 gramë.
Gjatë kontrollimit të lokalit janë gjetur edhe një armë me karikator me 35 fishekë, një thikë ushtarake, një palë dylbi ushtarak, një qese me substancë që dyshohet të jetë marihuanë me peshë 16.7 gramë dhe hashash me peshë 0.5 gram, një qese me kokainë me peshë 0.6 gramë, një peshore digjitale dhe para të gatshme 1 mijë e 397 euro.
Pas kontrollimit të lokalit, të dyshuarit iu është kontrolluar edhe shtëpia e tij, ku janë gjetur shtatë paketime najloni të mbushura me kokainë me peshë 85.2 gram.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 16:50 në Prishtinë. /GazetaSinjali/