Një vajzë e moshës 8-vjeçare ka përfunduar dje në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku ka kërkuar ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se e mitura ishte dërguar atje me lëndime të dukshme në ballë e të cilat dyshohet se i kishte marrë gjatë orës mësimore në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Ibrahim Mazreku’.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe ka intervistuar babain e 8-vjeçares. Ai ka bërë me dije se vajza është lënduar në shkollë dhe dyshohet se këto lëndime ia ka shkaktuar mësuesja e saj.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarën e cila para hetuesve ka deklaruar se aksidentalisht ka gërvishtur me unazë të miturën.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve’.