image Arrestohet një 21-vjeçar dhe hetohet një tjetër për 11 plaçkitje në lokalet dhe dyqanet e Durrësit

Shqipëri

Arrestohet një 21-vjeçar dhe hetohet një tjetër për 11 plaçkitje në lokalet dhe dyqanet e Durrësit

news image

Është arrestuar një 21-vjeçar i dënuar më parë për veprën penale “vjedhje” dhe një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, përmes operacionit të koduar “Hijet e natës” në Durrës.

Gjatë këtij operacioni janë zbardhur dhe dokumentohuar 11 vjedhje të kryera në qytetin e Durrësit, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale të cilat janë përdoruar në këto raste: një thikë, një levë hekuri dhe një maskë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, në kuadër të operacionit të koduar “Hijet e natës”, arrestuan në flagrancë shtetasin:

A.D., 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi E.Xh, 17 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18.07.2020, në lagjen nr.3, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur në lokalin e shtetasit A.N., ku kanë marë 10.000 lekë.

Nga hetimet e kryera rezulton se këta djem adoleshentë, gjatë këtij muaji në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht në lokale dhe një dyqan të një kompanie celulare, ku kanë marrë sasi të konsiderueshme parash, aparatë celularë dhe sende të tjera, vjedhje këto të dokumentuara me prova filmike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një thikë, një levë hekuri dhe një maskë të cilat i shihni në foto. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme./Gazeta Sinjali/