image Arrestohen dy të dyshuar për shitblerje të marihuanës në Prishtinë

Siguri

Arrestohen dy të dyshuar për shitblerje të marihuanës në Prishtinë

news image

Policia e rajonit të Prishtinës ka arrestuar dy persona të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike, në orët e para të së martës, rreth orës 01:15, në rrugën “Bajram Bahtiri”, raporton Gazeta Sinjali.

Policia njofton se te të dyshuarit ka gjetur dhe ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të marihuanës.

“Kësisoj më datë 26.10.2021 rreth orës 01:15, në rrugën ‘Bajram Bahtiri’ në Prishtinë policia mbështetur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, ka kryer një kontroll të personave ndaj tre të dyshuarve me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit kanabis (marihuana)”, njofton policia.

Të dyshuarit të cilët përfunduan në prangat e policisë si të dyshuar për trafikim me substanca narkotike, janë A.B. dhe D.B.

A.B., me rekomandim të prokurorit, është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.  

Ndërkaq, D.B., me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij është iniciuar një hetim për “Posedim të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/