image Arrestohen dy shqiptarë, prodhonin dhe shisnin “ilaçin” kundër koronavirusit

Shqipëri

Arrestohen dy shqiptarë, prodhonin dhe shisnin “ilaçin” kundër koronavirusit

news image

Dy persona janë arrestuar në Lezhë pasi shisnin një produkt, të prodhuar në mënyrë artizanale, për të cilin pretendonin se është ilaç kundër COVID-19.

Të arrestuarit janë F. F., 57 vjeç dhe nipi i tij, H. F., 30 vjeç, banues në Mamurras.

Sipas Policisë F.F. nëpërmjet rrjetit social Facebook bënte thirrje për prodhim të substancave për shërimin e koronavirusit nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi.

Në kuadër të operacionit u kap në flagrancë në një lokal nipi i shtetasit F. F., i cili po i shiste ilaçin një klienti.

Pasi e kontrolluan banesën e tij, gjetën baza materiale, medikamente dhe preparate që shërbenin për të përgatitur ilaçin.

Shtetasi F.F., pasi bënte prodhimin e këtyre medikamenteve në kushte artizanale dhe jashtë kushteve laboratorike, në kushte shtëpie, ia jepte shtetasit H.F., i cili, pasi takonte personat e interesuar, ua shiste atyre për 20.000 lekë të reja, duke iu thënë se e shëronte koronavirusin.

Në banesën e shtetasit F.F. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë provës materiale dhe pesë pajisje mjekësore pa faturë tatimore, të cilat dyshohet se mund t’i ketë kontrabanduar./Gazeta Sinjali/