image Arrestohen 6 taksistë dhe menaxheri i Auto Taxi Roberti, dyshohen për trafikim me migrantë

Siguri

Arrestohen 6 taksistë dhe menaxheri i Auto Taxi Roberti, dyshohen për trafikim me migrantë

news image

Gjashtë taksistë dhe menaxheri i Auto Taxi Roberti kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, mëngjesin e sotëm, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se ata po dyshohen për “trafikim me migrantë”.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se gjashtë taksistë të kësaj kompanie janë nisur në orën 05:00 të mëngjesit, përmes thirrjes dhe kanë ndaluar që të presin para urës në Vërmicë.

Taksistët me të arritur në pikën kufitare e kishin lajmëruar bazën që nuk është askush, por nga baza kishin marrë direktivën që të presin, sepse pasagjerët do të vijnë së shpejti.

Këto burime bëjnë të ditur se migrantët, të cilët janë futur ilegalisht në Kosovë, kanë dalë nga mali dhe janë futur në taksitë e kësaj kompanie.

Të arrestuarit janë intervistuar nga policia dhe me urdhër të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda,  ju njofton se me urdhër të prokurorit janë ndaluar shtatë persona, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Kontrabandimi me migrantë’ nga neni 164 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të njëjtit me urdhër të prokurorit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe për të njëjtit Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj me veprime të tjera procedurale”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Gazeta Sinjali ka provuar që të marrë një prononcim nga kompania Roberti, por personi që është përgjigjur e ka mohuar dhe ka thënë se nuk është person kompetent për të folur për këtë rast.

“Nuk është e vërtetë dhe unë nuk jam personi i duhur me të folë për këtë rast”, tha ajo.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/