image Arrestohen edhe 20 princër të tjerë arabë, tentuan të bënin grusht-shtet

Botë

Botë/ Arrestohen edhe 20 princër të tjerë arabë, tentuan të bënin grusht-shtet

news image

Pas raportimit të fundit për arrestime të pjesëtarëve të lartë të familjes mbretërore të Arabisë Saudite, autoritetet kanë arrestuar 20 princër të tjerë me urdhër të princit të kurorës Mohammad bin Salman, shkroi Middle East Eye (MEE).

Portali i lajmeve me bazë në Londër pohoi se pas arrestimit të princit Ahmed bin Abdulaziz, vëllait të mbretit Salman, princi i kurorës ka urdhëruar arrestimin e 20 princërve të tjerë me akuzën për organizimin e një tentative për grusht-shtet.

Në mesin e të arrestuarve raportohet se janë Nayef bin Ahmed bin Abdulaziz, biri i princit Ahmed, ish-princi i kurorës Mohammad bin Nayef dhe gjysmëvëllai i tij Nawaf.

Në raportimin e MEE thuhet se princërit e arrestuar janë akuzuar për takim me fuqi të huaja për të realizuar një grusht-shtet ndaj princit të kurorës.

Siç theksohet më tej, në urdhrin për arrestimin e princërve gjendet edhe nënshkrimi i mbretit Salman.

Po ashtu, portali shkroi se ish-princi i kurorës Nayef është ankuar për ndërprerjen e benificioneve mbretërore dhe se pas arrestimeve, Mohammad bin Salman ka kërkuar nga princat e tjerë të postojnë në Twitter duke shprehur besnikëri ndaj tij. Sipas MEE, tre princa deri më tani e kanë pranuar këtë kërkesë.

Më herët, gazeta amerikan Wall Street Journal raportoi për arrestimin e tre anëtarëve të lartë të familjes mbretërore.

Në nëntor të vitit 2017, autoritetet saudite arrestuan dhjetëra biznesmenë dhe princër me akuzat për korrupsion.

Që atëherë, bin Salman, i cili është përballur me kritika të ashpra për rolin e tij të dyshuar në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, ka konsoliduar kontrollin e tij mbi pushtetin./Gazeta Sinjali/