image Arrestimi i 44-vjeçarit pasi sulmoi priftin dhe vendos flamurin ‘UÇK’ në autobusin me tabela të Serbisë, reagon Rohde

Sociale

Arrestimi i 44-vjeçarit pasi sulmoi priftin dhe vendos flamurin ‘UÇK’ në autobusin me tabela të Serbisë, reagon Rohde

news image

Gazeta Sinjali sot ka raportuar për një incident të ndodhur gjatë ditës së diel në Komunën e Prizrenit, e që dyshohet se eskaloi në sulm pasi një qytetar prizrenas vendosi një flamur në një autobus me tabela të Serbisë që u ndal te Ura e Arastës.

Sipas burimeve të Sinjalit, gjithçka nisi pasi vizitorët serbë zbritën nga autobusi me tabela të Vranës, kur një qytetar i Prizrenit u afrua dhe vendosi një flamur me mbishkrimin ‘UÇK’.

Pas kësaj, një prift serb dyshohet se doli te autobusi, ku ndodhej edhe i dyshuari, por ky i fundit e ka kapur për krahu dhe e ka larguar.

Posa rasti është raportuar në Polici, njësitet përkatëse kanë intervenuar, ndërkohë që pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, i dyshuari është prangosur.

Për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në këtë rast ka reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke i falënderuar “për ndërhyrjen e shpejtë” së bashku me qytetarët e Kosovës.

“Faleminderit për ndërhyrjen e shpejtë të qytetarëve kosovarë dhe Policisë së Kosovës kur një prift i Kishës Ortodokse Serbe u sulmua fizikisht dje në Prizren. Ky guxim civil meriton duartrokitje!”, deklaroi Rohde në rrjetin social “X”.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajte për 48 orë dhe ndaj tij është inicicuar rasti “Sulm”.

/GazetaSinjali/