Nuk ka pasur armiqësi ndërmjet Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt në procesin e punësimit të njerëzve të njëri-tjetrit. Këtë e dëshmon edhe një dekret i kreut të shtetit i nxjerrë në fundvit.
Më 26 dhjetor të 2019-s, presidenti Thaçi ka firmosur dekretin, nëpërmjet të cilit një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Haradinajt e ka caktuar të shërbejë në një mision diplomatik me rëndësi, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Z. Alban Dërmaku ngarkohet për të vepruar si përfaqësues i Republikës së Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, me seli në Bruksel, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit me këtë organizatë”, thuhet në dekretin e firmosur nga Thaçi, një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”. “Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij dekreti”.
Në Presidencë kanë refuzuar të tregojnë se me propozim të kujt është nxjerrë dekreti. Në këtë institucion nuk i janë përgjigjur as pyetjes, nëpërmjet së cilës është kërkuar të dihet nëse në vendimmarrje ka ndikuar veprimtaria e mëhershme politike e Dërmakut.