image Arifi: Nëse jo sot, pas 100 vjetësh Lugina e Preshevës do të kërkojë bashkim me Kosovën

Politikë

Politikë/ Arifi: Nëse jo sot, pas 100 vjetësh Lugina e Preshevës do të kërkojë bashkim me Kosovën

news image

28 vjet më parë shqiptarët e Luginës së Preshevës përmes një referendumi për autonomi politike e territoriale, votuan për bashkim me Kosovën.

Kështu asokohe, u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

Kryetari i kësaj komune, Shqiprim Arifi, beson se nëse do të organizohej një referendum i tillë edhe tani, shqiptarët e Preshevës do të votonin pro bashkimit me Kosovën, duke dhënë kështu rezultatin e njëjtë të vitit 1992.

Edhe po të mos ndodhë bashkimi me Kosovën, Shqiprim Arifi thotë se qytetarët e Luginës edhe pas 100 vjetësh do të kërkojnë bashkimin me Kosovën.

“100 për qind rezultati i njëjtë. Rezultati atëherë ka qenë 100 për qind për bashkëngjitje me Kosovën, autonominë territoriale me drejtë bashkimin me Kosovën. Sot ta organizojmë, prej krejt botës do të vijnë, votojnë prapë 100 për qind me qenë me Kosovën. Nuk do të thotë që zgjidhen problemet tona jetësore, por do të thotë që zgjidhet problemi jonë dekanor politik, kjo do të thotë referendumi… Është shumë i rëndësishëm referendumi, është baza e politikë-bërjes për të ardhmen”, deklaron Arifi.

Pas referendumit të vitit ’92, Arifi thotë se Presheva është përballur me shumë vështirësi e diskriminime.

“Përderisa Kosova nuk ka pasur mundësi të bëhet republikë, ne nuk kemi pasur mundësi t’i bashkohemi. Ne kemi pasur punë këtu me Serbinë, nuk ka qenë shaka, njerëzit na kanë mbytur, kidnapuar, ndërprerë bizneset, diskriminuar, kanë marrë tekstet shkollore, kanë rritur papunësinë, nuk na kanë inkuadruar në strukturën shtetërore… Me Serbi kemi pasur punë këtu, ne boll që jemi gjallë me kë kemi pasur punë”, tha Arifi.

Arifi shprehet kritik edhe me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë, për gjendjen jo të mirë të komunës që ai udhëheq.

“Na kanë neglizhuar edhe Kosova dhe Shqipëria, por edhe ndërkombëtarët. Na kanë lënë në dorën e fatit me Serbinë. Pastaj edhe marrëdhëniet tona inerte me njëri-tjetrin me partitë politike. Janë bërë ‘kërsh’ me njëri-tjetrin duke mos ditur se si t’i qasen në mënyrë të unifikuar agresorit serb”, shprehet kryetari i Preshevës.

Referendumit i 1 dhe 2 marsit u organizua jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.

28 vjet më parë, për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetëror, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës./Gazeta Sinjali/