image Arifi: Kjo Qeveri koordinohet me bandat e Veriut, ndërkaq ka ndërprerë kontaktin me liderët e Preshevës

Politikë

Arifi: Kjo Qeveri koordinohet me bandat e Veriut, ndërkaq ka ndërprerë kontaktin me liderët e Preshevës

news image

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka reaguar pas publikimit të pjesës së dytë nga Nacionale të përgjimeve ku Kusari-Lila dëgjohet duke folur me Simiqin e Listës Serbe, raporton Gazeta Sinjali.

Arifi tha se këto përgjime, sipas tij faktizojnë se “Qeveria Kurti koordinon dhe sinkronizon aktivitetet me bandat në Veri të Kosovës përmes Listës Serbe edhe me personin e shpallur Non-Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndërkaq, siç thotë Arifi, kjo Qeveri ka ndërprerë kontaktin e drejtpërdrejtë me liderët e Luginës së Preshevës.

“Kjo qeveri ka ndërprerë kontaktin e drejtpërdrejtë duke mirëpritur konspiracione dhe ngritur komplote antidemokratike nga këshilltari i izoluar i Kuvendit Komunal në Preshevë, kështu për të shkelur mbi vullnetin politik të shqiptarëve të Komunës së Preshevës, ku edhe rrezikohet destabilizimi i Luginës së Preshevës.

Të gjithë, e aq më shumë partnerët ndërkombëtarë e kanë kuptuar boshtin e politikës strategjike të kësaj Qeverie! Nuk e kuptoj dot, si arritëm nga “Jo-Negociata, Vetëvendosje” në parimin e “Reciprocitetit” e deri tek negociatat me Listën Serbe për politikat që tangojnë UÇK-në në Kuvendin e Republikës”, tha ai.

I njëjti reagimin e tij e mbylli duke thënë se “për Altarin e Lirisë nuk negociohet sot as kurrë, as me Milanin veç për “2-3 Minuta”.

/GazetaSinjali/