Me ardhjen e bashkatdhetarëve nga vendet e ndryshme të Evropës për festat e fundvitit në pikën kufitare në Merdare atyre nuk po u bie të presin më shumë se 10 deri në 15 minuta, por pritje të gjata ka në pikën kufitare Hungari-Serbi.
Në Merdare, sot nuk janë parë kolona të gjata sikurse viteve të kaluara. Ndërkaq mërgimtarëve në shtetet e tjera nuk po u kërkohet certifikata e vaksinimit, kjo atyre po iu kërkohet në pikën kufitare në Merdare.
Mërgimtari Fatos Ibishi, ka thënë se te pika kufitare Merdares nuk kanë pritur më shumë se 10 minuta, por e kundërta i ka ndodhur në pikën kufitare në Hungari-Serbi, që ka pritur 3 orë e 10 minuta.
“Mirë kemi kaluar deri këtu, në kufirin e Hungari-Serbi kemi pritur 3 orë e 10 minuta, këtu 10 minuta. Po veç këtu në Kosovë kur erdhëm , aty në kufij të tjera jo, por unë e kam pasur atë që e kam marrë vaksinën, ua tregova. Kam pasur edhe djalin e axhës me vete. Ai e ka pasur testin, ua tregoi. Çka do që merret, ne do t’i respektojmë”, ka thënë ai duke iu referuar masave antiCOVID-19.
Po ashtu edhe Ragip Mujota, mërgimtar, tregon për KosovaPress se ka bërë 20 orë rrugë deri në Kosovë, ku po ashtu përmend se i janë kërkuar certifikatat e vaksinës kundërCOVID-19.
“20 orë, askund nuk na ka rënë të presim, sepse sot e diele, jemi nisur të shtunën në mbrëmje. Jo, këtu nuk i kanë kërkuar, mua nuk m’i kanë kërkuar, por i kemi vaksinat. Janë të nevojshme për mbrojtjen e popullatës duhet marrë masa”, ka thënë ai.
Bashkatdhetari tjetër Adem Rafuna tregon se nuk ka pasur pritje në pikë të kufirit, ndërkaq ai tregon edhe për certifikatën e vaksinimit që i është kërkuar në Merdare.
“Jam nisur dje në mëngjes 07:00 në mëngjes, një natë kam bujtur në Kroaci nuk më ka ra, në hyrje të Serbisë 15 minuta, edhe këtu 10 minuta. Certifikatat e vaksinës më duket se nuk m’i kanë kërkuar askund, vetëm këtu. Shumë mirë, gjithkund ashtu janë marrë, edhe Gjermania i ka ashtu, unë tri vaksina i kam marrë”, tha ai.
Masat antiCOVID parashohin se çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).
Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë (me dy doza) kundër COVID-19. Po ashtu, personave që kërkojnë të hyjnë në territorin e Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari”për ata që hyjnë në rrugë ajrore, dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit, për ata që hyjnë në rrugë tokësore.