Arabia Saudite do të ofrojë 400 milionë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në këtë vend, SPA.
Kjo agjenci tha se princi Mohammed bin Salman zhvilloi një bisedë telefonike të premten me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas SPA-së, princi saudit e shprehu gatishmërinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite për t’i vazhduar përpjekjet e ndërmjetësimit dhe përkrahjen e çdo gjëje që kontribuon në de-eskalimin e situatës.
Arabia Saudite së fundi është paralajmëruar për pasoja nga presidenti amerikan, Joe Biden, për shkak të vendimit të saj në kuadër të organizatës së vendeve prodhuese të naftës, OPEC, për ta pakësuar prodhimin e karburanteve, veprim që është vlerësuar si i favorshëm për Rusinë.