Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka folur pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Apostolova në një konferencë për media ka folur rreth taksës 100%, reciprocitetit si dhe vështirësive për krijimin e koalicionit LDK – LVV, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo tha sesi partner ndërkombëtar kanë theksuar se është me rëndësi që shteti i Kosovës të ketë një qeveri ekzekutive.
“U desh pak kohë për krijimin e kësaj qeverie, në shumë raste ne si partnerë ndërkombëtare kemi theksuar sa me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri ekzekutive sepse pa një partner të tillë në vendet ku jemi të vendosura nuk mund t’i përmbushim detyrimet që i kemi marrë përsipër”, tha përfaqësuesja e BE-së në Kosovë.
Aposotolova shtoi se Bashkimi Evropian do ta ndihmojë gjithmonë Kosovë, teksa, ka bërë të ditur se duan të punojnë me ministra të përgjegjshëm.
“BE gjithmonë do të ndihmojë Kosovën. Ne duam ta shohim një qeveri të përgjegjshëm dhe ministra të dijshëm që do të jenë partnerë tanë, prioritetet tona janë natyrisht: sundimi i së drejtës, arsimi, ndërtimi i shtetit, institucione të forta, administratë e fortë publike, duam që të shohim këto projekte që janë në linjë që mjedisi në Kosovë të përmirësohet, që Kosova të avancojë në partneritet evropian”, tha ajo.
Shefja e zyrës së BE-së, tha se dihet qartë qëndrimi i BE-së, karshi taksës. Teksa, sa i përket reciprocitetit, ka thënë se është herët që të komentohet, pasi që po presin nga qeveria e re t’i japin zgjidhje kësaj çështje që të vazhdohet me dialog.
“Bashkimi Evropian deri në nivelet më të larta të udhheqësisë ka shprehur mendimin e vet, konsiderojmë se taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e tjera që është Kosova, kemi dërguar letra në këtë drejtim, tani po presim që Qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja sesi do ta trajtojnë këtë çështje, nuk dëshirojmë që të parashohim se cila do të jetë zgjidhja, vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në mënyrë që për në dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të fillojë”, tha Apostolova./Gazeta Sinjali/