image Aplikimi për subvencione të izolimit të shtëpive, ja çka duhet të bëni tutje

Sociale

Aplikimi për subvencione të izolimit të shtëpive, ja çka duhet të bëni tutje

news image

Fondi Kosovar për Efiqiencë të Energjisë përmes një komunikate për media ka dalë me disa sqarime për qytetarët e Kosovës të cilët kanë aplikuar për subvencione për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, raporton Gazeta Sinjali.

Siç njofton FKEE, qytetarët që pranojnë “Letrën e Para-aprovimit”, janë të liruar nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për investimet që do të subvencionohen nga kjo masë.

Po ashtu, u bë e ditur se ky vendim është marrë me qëllim që qytetarëve të ju ofrohet ndihmë edhe më tutje për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë.

Gjithashtu, në njoftimin e plotë të FKEE-së i gjeni disa pika sqaruese për aplikuesit, të cilët orientohen për veprimet e radhes.

Njoftimi i plotë:

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët do të pranojnë “Letrën e Para-aprovimit” për dhënien e subvencioneve për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, se janë të liruar nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për investimet që do të subvencionohen nga kjo masë.

Ky vendim është marrë me qellim që qytetarëve të ju ofrohet ndihmë edhe më tutje në misionin për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë, duke ndikuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Bazuar në referencën e ATK-së nr. E-27/2023 të datës 24.08.2023, FKEE ofron sqarimet mëposhtme, për përfituesit e subvencioneve dhe bizneset:

  1. Të gjithë përfituesit e subvencioneve për masat e Efiçiencës së Energjisë lirohen nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Lirimi nga TVSH bëhet për vlerën e plotë të projektit, pavarësisht vlerës së financuar nga Komisioni Evropian. Pra, të gjitha investimet lidhur me Projektin, në tërësi konsiderohen të liruara nga pagesa e TVSH-së. Lirimi i TVSH-së aplikohet vetëm për shumën e para aprovuar nga FKEE.
  2. Lirimi prej TVSH-së duhet të bëhet direkt. Pra, me rastin kur kontraktohen punimet apo bëhet faturimi për blerje të mallrave, atëherë operatori kontraktues i regjistruar në TVSH nuk duhet ta llogarit TVSH-në, por duhet të faturojë pa TVSH (për përfituesin si individ) dhe në faturat e tyre të shkruajnë referencën ligjore: “Faturimi në bazë të nën-paragrafit 3.1, paragrafi 3 i nenit 33 të Ligjit nr. 05/L-037 për Tatimin në Vlerën e Shtuar”.
  3. Të gjitha shërbimet të cilat janë për konsumatorin e fundit (personat fizik), tatimpaguesi obligohet të pajiset me arkë fiskale dhe të lëshoj kupon fiskal, edhe në rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo llogarisë bankare. Përjashtim nga ky rregull bëjnë kategoritë e përcaktuara me nën-paragrafin 2 të nenit 4 të Udhëzimit Administrativ nr. 02/2018, shërbimet që ofrohen nga institucionet që nuk obligohen të lëshojnë kupon fiskal, si dhe transaksionet biznes-biznes ku tatimpaguesi obligohet të lëshoj faturë tatimore sipas legjislacionit tatimor dhe nuk obligohet të lëshojë kupon fiskal.
  4. Printimi dhe dhënia e kuponëve fiskal konsumatorëve është e detyrueshme në momentin e regjistrimit të furnizimit në PEF. Për transaksionet biznes-biznes, tatimpaguesi obligohet të lëshoj faturë tatimore.

FKEE njofton se komisioni po vazhdon me vlerësimin e aplikimeve për përfitim nga masa dhe të gjithë aplikantët e suksesshëm janë duke pranuar “Letrën e Para-aprovimit” bashkë me dokumentin që shërben si dëshmi për lirim nga TVSH.

/GazetaSinjali/