image Aplikimi i Kosovës në BE, Daçiq: Beogradi ka garanci të forta nga pesë shtetet mosnjohëse

Politikë

Aplikimi i Kosovës në BE, Daçiq: Beogradi ka garanci të forta nga pesë shtetet mosnjohëse

news image

Beogradi ka garanci të forta se pesë shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës nuk do ta ndërrojnë pozicionin e tyre në lidhje me kandidaturën e dorëzuar për anëtarësim në BE, ka thënë ministri serb i jashtëm Ivica Daçiq.

Kryediplomati serb i tha medias serbe “Blic.rs” se bashkërisht me presidentitn serb, Aleksandar Vuçiç, janë në kontakt të vazhdueshëm me këto pesë shtete, derisa shton se “pozicioni i tyre është i qëndrueshëm siç ka qenë gjer më tani”.

Pyetur rreth deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri se plani franko-gjerman ka mbështetjen e 27 anëtarëve të BE, Daçiq tha se “nuk do të shkoja aq larg aq shpejtë”.

“Ka patur shumë verzione të atij plani të ashtuquajtur franko-gjerman dhe nuk mund ta di se në cilën fazë, por e di se sigurt se është i parakohshëm për të filluar llogaritë se sa mbështetje ka brenda BE’së”, ka thënë Daçiq.

Borrell ka thënë se plani franko-gjerman, është plan evropian dhe ka mbështetjen e 27 shteteve anëtare, përkatësisht edhe atyre mosnjohëseve, derisa njëra nga pikat kyçe të këtij plani është mospengimi serb i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Daçiq, një ditë më parë, tha se përveç këtij pentagoni shtetesh, edhe ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i ka premtuar “personalisht” se Hungaria do të votojë kundër kandidaturës së Kosovës, ndonëse një pretendim i tillë ende nuk është konfirmuar nga pala  hungareze, shkruan Reporteri.net.

“[Peter] Szijjarto personalisht më premtoi se do të votojë kundër. Çështja është se a do të votohet fare, ose nëse Republika e Çekisë do ta kërkojë si çështje procedurale”, i ka thënë ai televizionit serb “Tv Happy”.

Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa mbeten ende pesë shtete mosnjohëse, përkatësisht, Spanja, Greqia, Sllovakia, Qiproja dhe Rumunia. Vendimet në BE merren me konsensus të plotë.

/GazetaSinjali/