image Apeli ia zbut dënimin personit që ia kërkoi Pacollit mbi 1 milion euro kinse për ta shpëtuar nga Specialja

Drejtësi

Apeli ia zbut dënimin personit që ia kërkoi Pacollit mbi 1 milion euro kinse për ta shpëtuar nga Specialja

news image

Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin Enis Haradinit, i cili ishte shpallur fajtor pasi e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën se i kishte kërkuar mbi 1 milion euro nga kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, kinse për ta shpëtuar atë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Nga një vit dënim me burgim, sa i kishte shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 nëntor 2020, Gjykata e Apelit e ka dënuar Haradinin me shtatë muaj burgim. Po ashtu, Haradini është dënuar me 500 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

 “Me rastin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e sipas detyrës zyrtare, ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.28/20 i datës 06.11.2020, lidhur me cilësimin juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënim, ashtu që në veprimet e të akuzuarit manifestohen elementet e veprën penale Detyrimi në tentativë nga neni 328 par.1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, dhe për këtë vepër Gjykata e Apelit të akuzuarin e gjykon me dënim me gjobë në shumë prej 500 (pesëqind) euro, dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muaj”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, në veprimet inkriminuese të përshkruara në dispozitivin e aktakuzës nuk kemi të bëjmë me formën e kualifikuar të veprës penale të detyrimit, pasi nuk janë përmbushur elementet nga paragrafi 2 i nenit 328 të Kodit Penal. Sipas këtij paragrafi, që të përmbushen elementet e kësaj vepre, i akuzuari duhet të veproj si anëtar i grupit, të përdorë armën apo mjetin e rrezikshëm dhe vepra të rezultojë me dobi pasurore në shumë që tejkalon 10.000 (dhjetëmijë) euro.

“Nga përshkrimi i gjendjes faktike është evidente se nuk kemi të bëjmë me anëtar të grupit, përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Po ashtu, sipas Apelit, sipas përshkrimit të gjendjes faktike nuk rezulton se i akuzuari Haradini ka realizuar dobi pasurore, por vetëm ka kërkuar shuma të mëdha të parave, por që detyrimi ka mbetur në tentativë.

Sa i përket lartësisë së dënimit të shqiptuar, kolegji i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Vaton Durguti, Kreshnik Radoniqi dhe Tomislav Petrovic, kanë vendosur se duke i ri-vlerësuar rrethana lehtësuese që janë përmendur edhe nga shkalla e parë, në raport me veprën e ri-cilësuar, kanë ardhur në përfundim se edhe me një dënim më të butë do të arrihet qëllimi i dënimit në pengimin e të akuzuarit në kryerjen e veprave penale në të ardhmen si dhe do të ndikoj edhe si preventivë e përgjithshme për personat tjerë që të përmbahen nga kryerja e veprave penale.

Ndërsa, në ankesën e prokurorisë, sipas Apelit, nuk theksohet asnjë rrethanë që mund të konsiderohet rënduese.

Prokuroria thekson se rrezikshmëria shoqërore është rrethanë rënduese, shqetësimi i vazhdueshëm që i është bërë të dëmtuarit dhe shkalla e përgjegjësisë penale. Megjithatë, Gjykata e Apelit gjen se këto nuk janë rrethana rënduese, sepse së pari, rrezikshmëria shoqërore është nocion i përgjithësuar e që të konsiderohet si rrethanë rënduese duhet të saktësohet se për çfarë rrezikshmërie kemi të bëjmë në rastin konkret lidhur me të akuzuarin, të kaluarën e tij dhe veprën e kryer; së dyti shkalla e përgjegjësisë penale po ashtu është nocion i përgjithësuar që për secilin rast duhet të saktësohet shkalla e dashjes e të akuzuarit në raport me veprën e kryer dhe duhet të argumentohet në seancë gjyqësore”, përfundon aktgjykimi i Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 19 qershor 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Enis Haradini akuzohet se që nga muaji qershor i vitit 2019 e deri më 10 mars 2020, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka tentuar që ta detyroj të dëmtuarin Behgjet Pacolli që të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke përdorur kanosjen serioze se i njëjti do të gjykohet nga Gjykata Speciale në Hagë, po që se nuk ia dorëzon shumën e kërkuar të të hollave, në atë mënyrë që është paraqitur rrejshëm si bashkëpunëtor dhe person me ndikim te prokurorët e specializuar të Gjykatës Speciale, ashtu që do të prezantoj prova në rastet e imagjinuara ndaj tij.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht kishte kërkuar shumën prej 850 mijë euro, pastaj shumën prej 360 mijë euro dhe së fundmi 190 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte dërguar mesazh telefonik edhe vajzës së të dëmtuarit Pacolli, Selena Pacolli, me përmbajtjen “Babai yt është në rrezik dhe t’i mundesh me evitu situatën”.

Pas lajmërimit të rastit në polici, i pandehuri Haradini ishte arrestuar më 10 mars 2020 dhe vepra kishte mbetur në tentativë.

Për këtë, ai po akuzohet për kryerjen e veprës penale “detyrimi në tentativë”, nga neni 328, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /GazetaSinjali/