Task Forca e Boksit (BTF) e krijuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për organizimin e turneut kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Tokio 2020, ka vendosur sot të pezullojë gjithë aktivitetin, i cili po mbahet në Londër të Britanisë së Madhe.
Në njoftimin e publikuar nga IOC, thuhet se garat që filluan më 14 mars 2020 do të vazhdojnë vetëm edhe sonte, derisa janë pezulluar edhe garat tjera të boksit deri në muajin maj.
“Ruajtja e mirëqenies së sportistëve, zyrtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë është një përparësi kryesore për BTF-në, andaj BTF mori vendimin për të pezulluar ngjarjen sot, për shkak të rritjes së kufizimeve globale të udhëtimit dhe masave të karantinës, në mënyrë që t’i lejojë pjesëmarrësit nga mbi 60 vende të rregullojnë udhëtimet e tyre dhe të kthehen në shtëpi”, thuhet në njoftim.
Pjesëmarrës në turne është edhe ekipi i boksit që po përfaqësohet me katër boksierë, dy trajnerë dhe një zyrtar.
Në gara ka mbetur vetëm Donjeta Sadiku, e cila me sukses kaloi luftën e parë, ndërsa nesër ishte paraparë të luftojë për në 1/8 e finales.
Për shkak të përhapjesë së koronavirusit, që ka pushtuar botën, garat e boksit në Londër ishin ndër të vetmet që zhvilloheshin këto ditë, pasi shumica e garave ndërkombëtare ishin pezulluar. /Komiteti Olimpik i Kosovës/