Të enjten ishte paraparë që në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të vazhdonte gjykimi për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, mirëpo kjo seancë është anuluar.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, nga DHSK kanë bërë të ditur se seanca e së enjtes ishte caktuar në rast se do të nevojitej më shumë kohë për deklaratat hyrëse.
“Meqenëse deklaratat hyrëse ishin më të shkurtra se që pritej, gjykatësit kanë vendosur se nuk nevojitet të mbahet edhe seanca e paraparë për të enjten”, thuhet në përgjigjen e DHSK-së.
Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.