image Ankesa se në Spitalin e Pejës nuk po bëhen publike të gjitha vdekjet nga COVID-19, drejtori jep sqarime

Shëndetësi

Ankesa se në Spitalin e Pejës nuk po bëhen publike të gjitha vdekjet nga COVID-19, drejtori jep sqarime

news image

Nga Spitali i Pejës, më konkretisht Reparti Internistik, në adresë të Gazetës Sinjali kanë ardhur ankesa se të paktën 4 ditët e fundit, janë parë duke u nxjerrë kufoma të të vdekurve nga COVID-19, porse jo të gjitha vdekjet po raportohen. Për këtë, Sinjali ka kërkuar sqarime nga organet kompetente.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Skender Dreshaj, ka thënë për Gazetën Sinjali se të gjitha rastet me COVID i raportojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, derisa kur ka raste të vdekjeve nga sëmundje tjera, ato nuk i bëjnë publike për qytetarët.

Ne i raportojmë të gjitha të dhënat, çdo detaj ia dërgojmë Institutit të Shëndetësisë Publike. Për këto ankesa… personat mund të vdesin, por jo nga COVID. Mund të ketë vdekje nga shkaqe të tjera. Ato me COVID çdo mëngjes i raportojmë. Por, të dhënat për persona tjerë që vdesin nga sëmundje tjera, janë personale, për ato janë raportet mujore ku tregohet çdo diagnozë, çdo arsye se pse vdesin”,  tha Dreshaj për Gazetën Sinjali.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë, po ashtu thanë se pas çdo rasti exitus (vdekje) me COVID-19, spitali njofton qendrën operative.

“Çdo rast i vdekjeve me COVID-19 raportohet, përveç në qendrën operative po ashtu edhe në raportin 24-orësh”, thuhet në përgjigjen për Sinjalin.

Sot, një sinjalizues i Gazetës Sinjali ka thënë se në Repartin Internistik, ku ai po qëndron, ditët e fundit ka parë nga stafi tek nxirren kufoma të të vdekurve nga COVID-19. /Gazeta Sinjali/