Shef i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj ka shpërndarë postimin e Flutura Kusarit në Facebook, e cila i doli në mbrojtje Ministres së Financave, Hykmete Bajramit.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Gecaj ka thënë se do t’i fuste duart në zjarr për Bajramin, njofton Gazeta Sinjali.
“Për ndershmërinë e Hikmetes i shti duart në zjarr!”, ka shkruar Gecaj.
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, i ka dal në mbrojtje Ministres së Financave, Hykmete Bajramit për skandalin me 2 milionë eurot e Thesarit të Shtetit duke thënë se të kërkosh dorëheqjen e Bajramit është hipokrizi. Sipas saj, dje Bajrami ka dhënë informacione të vlefshme për rastin, e që thotë se asnjë politikan tjetër s’do të guxonte ta bënte.
“Bravo Hikmete Bajramit që doli dje me japë llogari para mediave. Nuk ndodhë shpesh që politikanët, në kohë skandalesh, me u ballafaqu me publikun. Zakonisht ikin si pulat. Me kërku prej saj me japë dorëheqje është bullshit dhe hipokrizi”, ka shkruar Kusari.
Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme për këtë çështje, mbajti konferencë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka treguar se në mënyrë të kundërligjshme janë bërë 4 transaksione nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik. /Gazeta Sinjali/