Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se kanë filluar që të punojnë në pesë lokacione në Kosovë nën dyshimin se aty ka varreza masive, shkruan Gazeta Sinjali.
Tutje ai ka shtuar se prioritet do të mbeten lokacionet në Serbi. Ai ka theksuar se sfidë mbetet edhe marrja e informacioneve nga ana e Serbisë për vendndodhjen e varrezave masive.
“Kemi kërkuar që të ndryshohet emri i Ligjit në ligj për të zhdukurit me forcë sepse ata janë kidnapuar. Ka disa vjet që databaza nuk ka funksionuar dhe kemi arritur ta funksionalizojmë, ku ne dhe familjarët kanë qasje në të dhëna. Kemi filluar të punojmë në disa lokacione brenda Kosovës.”
“Për hir të mos shqetësimit të familjarëve ne nuk i kemi bërë publike se cilat janë lokacionet, janë pesë të tilla në Kosovë. Prioritet kryesore mbeten lokacionet në Serbi. 5 lokacionet qe i kemi gjetur deri më tani nuk janë të vetme. Kemi kërkuar nga pala serbe që të kemi qasje edhe ne lokacione tjera.”
“Një nga sfidat kryesore është mungesa e informacionit të verifikuar, ne jemi dëshmitarë që ka pasur informacione të rrejshme nga ana e Serbisë. Një nga sfidat që e kemi adresuar edhe para dy jave në Bruksel është qasja në arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe. Arkivat e Serbisë ndihmojnë shumë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve por nuk janë rruga e vetme”, ka thënë ai.
Këto deklarata ai i ka bërë në takimin e deputetëve të komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.