Analisti politik serb, Dragomir Angjelkoviq tha sot se lirimi i tre policëve të Kosovës paraqet një tjetër kapitullim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq para faktorëve ndërkombëtarë.
Angjelkoviq tha për agjencinë serbe të lajmeve, Beta se nuk ka dyshim se vendimi për lirimin e tre policëve të Kosovës nga paraburgimi është politik.
“Gjyqësori i Serbisë është nën kontrollin e plotë të qeverisë dhe aq sa është gjyqësori nën kontrollin e qeverisë, po aq edhe pushteti ynë është nën kontrollin e disa faktorëve të jashtëm. Sapo dikush serioz nga bota ngre zërin, Vuçiq nxiton ta ulë kokën dhe të bëjë gjithçka që i kërkohet. Lirimi i tre policëve të Kosovës paraqet një tjetër kapitullim të presidentit Vuçiq, në dëm të Serbisë dhe serbëve në Kosovë”, tha Angjelkoviq.
Andjelkoviq e krahasoi ndërmjetësimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban në lirimin e policëve të Kosovës me rolin e Viktor Chernomyrdin (ish i dërguari i presidentit rus) në atë që ai tha se ishte kapitullimi i Slobodan Millosheviqit në vitin 1999.
“Vuçiq ka Chernomirdinin e tij, Orbanin, i cili është një lloj ndërmjetësi me qëllim që presidenti i Serbisë ta ruajë nderin e tij për përdorim të brendshëm, edhe pse është kapitullim i pastër. Për Vuçiqin do të ishte më mirë sikur të mos i arrestonte policët e gabuar të Kosovës dhe të mos thoshte se nuk do të shkonte në Bruksel për negociata me Albin Kurtin (kryeministrin e Kosovës) dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë”, vlerëson analisti serb.