American Express është kompania e fundit e kartave të kreditit që njoftoi se do t’i japë fund operacioneve të saj në Rusi përderisa pushtimi i saj në Ukrainë përshkallëzohet.
Sot kompania tha në një deklaratë se kartat e lëshuara globalisht American Express nuk do të funksionojnë më në Rusi dhe kartat e lëshuara në Rusi nuk do të funksionojnë jashtë vendit.
American Express tha gjithashtu se po përfundon operacionet e saj të biznesit në Bjellorusi, shkruan CNN.
“Kjo është shtesë e hapave të mëparshëm që kemi ndërmarrë, të cilat përfshijnë ndërprerjen e marrëdhënieve tona me bankat në Rusi të ndikuar nga sanksionet e SHBA dhe qeverisë ndërkombëtare“, tha kompania American Express në një deklaratë.
Mastercard po ashtu tha të shtunën se po pezullon shërbimet e saj të rrjetit në Rusi dhe Visa gjithashtu njoftoi se po pezullonte të gjitha operacionet atje.