Ambasadorja amerikane në Maqedoninë Veriore, Angela Aggeler, ka reaguar përpara takimit mes Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiqit në vendin e tyre nikoqir të Ohrit.
Ajo ka njoftuar se shteti i saj e vëzhgon takimin, të cilin e ndërmjetëson Kryediplomati evropian, Josep Borrell.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar do të jetë në Ohër si vëzhgues i këtij procesi”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ndër të tjerash ajo ka theksuar se roli i MV si mikpritës i këtij takimi shënon lidershipin e saj pozitiv brenda rajonit.
Kurti dhe Vuciq takohen nesër për të diskutuar rreth zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve, të cilin e kanë pranuar në takimin e kaluar më 27 shkurt, në Bruksel.