Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey ka deklaruar se ndryshimi i administratës amerikane nuk do të ndikojë në zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, raportojnë mediat atje, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas kësaj deklarate, Godfrey tha se interesi i SHBA-së është anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, i cili do të kontribuonte më tej në stabilitetin në rajon si dhe prosperitetin dhe rritjen ekonomike.
Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara, si më parë, do të vazhdojnë të sigurojnë mbështetje për Serbinë në procesin e anëtarësimit në BE.
Ambasadori po ashtu u takua me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Zarko Obradoviç dhe ky i fundit e theksoi rëndësinë e Marrëveshjes së Washingtonit, e cila u nënshkrua në shtator të këtij viti, zbatimi i së cilës kontribuon në bashkëpunimin rajonal dhe ekonomik, si dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. /Gazeta Sinjali/