Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka njoftuar se Nicholas Abbott, ka dorëzuar sot në mëngjes kredencialet te Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas ceremonisë, Abbott tha: “Jam i lumtur që kam prezentuar Letrën time Kredenciale te Presidenti Thaçi. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë lidhje të thella miqësie dhe bashkëpunimi, të farkëtuara në kohërat më të vështira. Mezi pres të zhvilloj dhe forcojë marrëdhëniet tona me popullin e Kosovës, dhe të vazhdoj punën e paraardhësve të mi për të ndihmuar në reformimin dhe modernizimin e institucioneve, dhe demokracisë së Kosovës, dhe për të inkurajuar dhe mbështetur ata që janë brenda sistemit dhe të cilët po luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin.”
Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që kishte lidhur marrëdhënie diplomatike pasi Kosova shpalli pavarsinë në shkurt 2008. Nicholas Abbott është ambasadori i pestë i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë./Sinjali/