Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE janë duke punuar ngushtë për të garantuar stabilitetin në Kosovë, njofton Gazeta Sinjali.
Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet me një synim, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe për mbylljen e çështjeve të hapura mes të dyja vendeve. Veç tjerash, ai konsideron se Kosova ka të ardhme evropiane, por që rruga nuk është e lehtë.
Për ambasadorin e BE-së në Kosovë, sfida më e madhe për vendin është implementimi i legjislacionit, derisa shtoi se varësisht nga performanca e një vendi, varen edhe marrjet e fondeve.
Ai në një diskutim me studentët e Fakultetit Juridik, ka folur edhe për marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Washington. Ndër tjera, shtoi se brenda institucioneve të Kosovës ka mungesë të koordinimit të punëve evropiane.
“Ka dialog që jo vetëm që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, por është mandatuar edhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Dhe ato zotime të njëanshme, kisha me thënë disa prej tyre janë pozitive edhe mund të jenë në dobi të dialogut, në disa mënyra. Por, janë disa të cilat nuk lidhen me dialogun apo me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, apo Kosovë-BE. Ka elemente pozitive dhe elemente të tjera. BE dhe SHBA po punojnë shumë ngushtë për të garantuar stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë regjionit”, ka deklaruar ai.
Shefi i BE-së thekson se synimi i dialogut në Bruksel është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të normalizonte marrëdhëniet mes dy shteteve.
“Dialogu zhvillohet me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Dhe kjo marrëveshje duhet të mbyll të gjitha çështjet e hapura ekzistuese mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.
Kështu ka theksuar ai në diskutimin me studentët e Fakultetit Juridik në kuadër të “Guest Speaker Program” me temën “Rruga Evropiane e Kosovës dhe Kushtëzimi për Zgjerimin: Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’i ndjekur reformat shpejt dhe më seriozisht?”.
Ai u shpreh kritik për gjendjen e arsimit, që sipas tij dëshmohet edhe me rezultatet e fundit të PISA-s. Ambasadori i BE-së në Kosovë shtoi se nga mosha 18 deri 30 vjeçare, 40 për qind e të rinjve janë të papunë, e që sipas tij faktori kryesor është arsimi i dobët.
Ndërsa, dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka tha se nga qytetarët rruga integruese po shihet si sfidë. Theksoi se pret nga studentët që të japin kontributin e tyre pa kompromis, pa amnistuar asnjë dukuri për të luftuar korrupsionin e nepotizmin. /Gazeta Sinjali/