Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka folur për ndalimin e vizitës së Patriarkut serb, Porfirije në Kosovë. Ai tha se është e rëndësishme që komuniteti serb të mund ta shoh patriarkun dhe se shpreson që situata të tilla të mos përsëriten.
“Para së gjithash, mendoj se është e rëndësishme që komuniteti serb të mund ta shohë patriarkun. Mendoj se kjo është diçka themelore – për liritë fetare atje. Nuk besoj se do të gjeni dikë në bashkësinë ndërkombëtare që kundërshton të drejtën e tij për të hyrë në Kosovë dhe për t’u takuar me besimtarët. Ky është qëndrimi ynë dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë më”, tha ambasadori Hill duke iu përgjigjur pyetjes se si e komenton ndalimin e patriarkut për të vizituar Kosovën dhe faktin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, praktikisht fajësoi të gjithë komunitetin ndërkombëtar për situatën e krijuar.
Duke folur për ndalimin e vizitës së Patriarkut serb në Kosovë, Vuçiq ka theksuar se ky vendim “flet më së miri për ata që e organizuan atë”.
“Është vetëm pjesërisht regjimi i Prishtinës, sepse mjafton të shikohen deklaratat e atyre që thanë se do të dënonin ashpër veprime të tilla. Në fakt fajin e kemi ne serbët se e kemi KPS-në dhe se patriarku ka dashur të shkojë në Patriarkanën e Pejës. Pikërisht, nëse patriarku nuk do të ishte pranë meje, do të thosha se ky është turpi i tyre më i madh. Ata nuk mund ta rrëmbejnë patriarkun nga zemra dhe shpirti i popullit serb”, ka theksuar Vuçiq.
Institucionet e Kosovës nuk i kanë dhënë leje patriarkut serb për ta vizituar vendin tonë pa i plotësuar disa kushte, të cilat ai ka refuzuar t’i përfillë./Nova/