image Ambasadori gjerman për ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike: Rast unik në Europë që për të pestën herë nuk u votua

Evropë

Ambasadori gjerman për ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike: Rast unik në Europë që për të pestën herë nuk u votua

news image

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka kritikuar deputetët e Republikës së Kosovës për moskalimin e ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike për të pestën herë, transmeton Gazeta Sinjali.

Rohde ka shkruar në një postim në Twitter ku sipas tij është rast unik në Europë që për të pestën herë radhazi Kuvendi të mos miratojë projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ai gjithashtu ka thënë se është urgjente që të gjitha palët të gjejnë kompromis për këtë pasi qytetarët e Kosovës po e presin atë.

“Lufta kundër efekteve negative ekonomike nga pandemia është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon përpjekje të përbashkët. Në këtë aspekt është mjaft dëshpëruese dhe sipas dijenisë time rast unik në Europë të shohësh për të pestën herë që në Kuvendin e Kosovës nuk ka marrëveshje për projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Tani çfarë kërkohet urgjentisht nga të gjitha palët është fryma e kompromisit. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë ta presin atë”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Kujtojmë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka dështuar të kalojë në Kuvendin e Kosovës për të pestën herë radhazi pasi qeveria Hoti nuk i ka votat e mjaftueshme. /Gazeta Sinjali/