image Ambasadori gjerman në Kosovë tregon benefitet nga Procesi i Berlinit

Politikë

Ambasadori gjerman në Kosovë tregon benefitet nga Procesi i Berlinit

news image

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, e ka quajtur Procesin e Berlinit mjet për t’i ndihmuar gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë gati për integrim në Bashkim Evropian, kurdo që kjo çështje të jetë në agjendë.

Rohde ka thënë se për shkak të këtij procesi, nga 1 korriku do të mundësohet heqja e tarifave roaming brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, teksa ka përmendur edhe “linjat e gjelbra” për transport më të shpejt për mallra të ndjeshme e farmaceutike dhe hapin tjetër për “hapjen e shiritave të gjelbër drejt BE-së”.

Ndoshta për ta sqaruar, edhe në përgjithësi Procesi i Berlinit është një lloj mjeti që do t’i ndihmojë rajonit, gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në kuptimin: formësohuni, bëhuni gati për kurdo që çështja e integrimit të tyre në BE do të jetë në agjendë. Në vitet ‘90 ne e kemi pasur shembullin e shteteve të Vishegradit, të cilat gjithashtu janë përgatitur për anëtarësim në BE dhe në NATO, si një grup joformal, jashtë, duke krijuar rrjete të bashkëpunimit rajonal dhe mendoj se ideja e njëjtë fshihet edhe pas Procesit të Berlinit. Ideja ka ardhur nga kancelarja Merkel dhe disa shtete të tjera, për ta bërë Ballkanin Perëndimor më shpejt të aftë për BE-në, sesa ndryshe. Kjo është e gjithë ideja përpara procesit”, ka thënë ai në Ktv.

Si çështje të agjendës për samitin e ardhshëm brenda këtij procesi, Rohde ka përmendur njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe profesionale.

Takimi i ardhshëm pritet të mbahet dy muaj më vonë, me Rohden që ka shprehur besimin që të gjitha shtetet do të marrin pjesë.

Rohde ka thënë se Gjermania synon që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të lëvizin lirshëm brenda këtij rajoni. Ai ka refuzuar ta quajë “Mini-Schengen” idenë e përfolur më herët, por ka thënë se çkado që sjell lidhshmëri në rajon është e mirë.

Përmirësim praktik për Kosovën e ka cilësuar ai pjesëmarrjen e vendit si e barabartë me pesë shtetet tjera. /Gazeta Sinjali/