image Ambasadori francez në Beograd: Kosova nuk i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave

Kosovë

Ambasadori francez në Beograd: Kosova nuk i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave

news image

Ambasadori i Francës në Beograd, Jean Louis Falconi, është shprehur se Kosova nuk e meriton liberalizimin e vizave, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë një debati online dedikuar raportit të Francës me Ballkanin Perëndimor, sipas ambasadorit janë disa kushte specifike që nuk i ka plotësuar Kosova për liberalizim.

“Kur flisni për vizat në Kosovë unë nuk dua të flas me kompetencë, sepse unë nuk jam ambasador i Francës në Kosovë. Por dua të them së pari se, Kosova nuk po përkushtohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe pika e dytë është se, ka kushte speciale për liberalizimin e vizave që nuk janë përmbushur nga Kosova”, ka thënë ambasadori.

Ai këto deklarata i bëri pas kritikave të ekspertit për Ballkanin, Loic Tregoures, i cili vlerësoi se në opinionin francez ka një nyjë që nuk është duke u zgjidhur karshi liberalizimit të vizave për Kosovë.

“Parlamenti, Komisioni Evropian si dhe shumica e vendeve evropiane pajtohen për liberalizimin e vizave. Por, në Francë ekziston perceptimi se kur të ndodh kjo, mijëra njerëz nga Kosova do ta pushtojnë vendin e do t’i vjedhin vendet e punës. Natyrisht asnjëra nga këto nuk do të ndodhë. Por po e përsëris, perceptimi ka rëndësi. Nëse mendoni se diçka e tillë ndodhë, atëherë ju merrni vendim për të mos ecur përpara”, sqaroi Tregoures./Gazeta Sinjali/