Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë thirrje që liderët politikë të Kosovës të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e situatës së bllokimit institucional dhe të krijohen sa më shpejt institucionet funksionale.
Guerot i bëri këto komente gjatë Festës Kombëtare Franceze të organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë këtë të martë, ku ndër të tjera foli edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, integrimin evropian dhe bashkëpunimin ekonomik.
Në fjalën e tij, ambasadori francez tha se Kosova ka nevojë për institucione funksionale në mënyrë që partnerët ndërkombëtarë të mund të ecin përpara me vendin.
“Të gjithë shpresojmë fishekzjarre të tjera sonte: një ndeshje me shumë gola në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Shpresoj që golat të jenë francezë. Duke filluar nga ora 21:00, ndeshja do të transmetohet në ekranet brenda dhe jashtë sallës dhe ju ftoj të qëndroni e ta ndjekim së bashku. Teksa po përgatisja këtë fjalim të shkurtër, kërkova fjalimin tim të vitit të kaluar për të gjetur frymëzim. Aty hasa një paragraf që, për fat të keq, ndiej detyrimin ta përsëris: Është një mesazh i drejtuar me respekt udhëheqësve politikë të Kosovës. Për të nënshkruar marrëveshje me ju dhe për t’i zbatuar ato, ne kemi nevojë për institucione funksionale. Qeveritë mike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë franceze, në emër të së cilës po flas, kanë nevojë për partnerë me të cilët mund të ecin përpara dhe ta shoqërojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Prandaj, më lejoni t’u bëj një thirrje të gjithë liderëve politikë të këtij vendi, pa përjashtim, pavarësisht partisë së cilës i përkasin apo komunitetit që përfaqësojnë. Një thirrje që ta gjejnë vetë rrugën e kompromisit, ta gjejnë vetë daljen nga situata e bllokimit, me të cilën asnjë qytetar nuk është i kënaqur. Një thirrje që të gjejnë rrugët për një funksionim gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës. Ky ishte mesazhi im i vitit të kaluar. Pas një viti dhe dy palë zgjedhjesh, ky mesazh mbetet aktual”, tha Guerot.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!