image Ambasadori francez dhe Bislimi deklarohen pas takimit: Folëm për të gjitha

Politikë

Ambasadori francez dhe Bislimi deklarohen pas takimit: Folëm për të gjitha

news image

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot janë takuar sot, ku sipas njoftimeve nga të dy, janë pajtuar për të gjitha temat që i kanë diskutuar.

Ambasdori Guerot ka njoftuar shkurt për takimin.

“Një bisedë shumë e mirë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në të gjitha çështjet e interesit të përbashkët. Në të gjitha”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërkaq, Bislimi ka dhënë më shumë detaje.

“Një diskutim i frytshëm me ambasadorin francez në Kosovës, Olivier Guerot. Shpreha vullnetin për ta vazhduar bashkëpunimin me ambasadën franceze, për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe projektet konkrete. Ambicia për integrime evropiane, ishte mes temave të diskutuara”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ndryshe, javën që shkoi, Bislimi ka thënë se kushti i Francës që Kosovës t’i hiqen vizat pas hyrjes në fuqi të sistemit ETIAS është i papranueshëm për Kosovën.

Çfarë është sistemi ETIAS që po ndërlidhet me heqjen e vizave?

Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), është sistem i krijuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të mbrojtjes dhe forcimit të kufijve. Qëllimi i tij është identifikimi i rreziqeve dhe i kërcënimeve që lidhen me turistët që udhëtojnë në cilindo shtet të zonës Schengen.

Autorizimi i ETIAS-it do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori i 2023-s, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. Ky sistem do të bëhet kërkesë e detyrueshme hyrjeje.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me emigrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.

Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.

Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.

Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.

Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

/GazetaSinjali/