Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka reaguar ndaj sulmit me vezë në drejtim të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Siç shkruan ambasadori, transmeton Gazeta Sinjali, në vendin tonë nuk duhet të ketë vend për dhunë, pavarësisht nëse mjeti i përdorur është armë, gaz ose vezë.
Ambasadori Kosnett thotë se ata që bëjnë dhunë dhe ata që e inkurajojnë atë, duhet të kenë parasysh dëmin për reputacionin e Kosovës.
“Nuk duhet të ketë vend në sistemin demokratik të Kosovës për dhunë, pavarësisht nëse arma e zgjedhjes është armë, gaz ose vezë. Kjo nuk është shaka dhe ata që bëjnë dhunë dhe ata që e inkurajojnë atë, duhet të kenë parasysh dëmin për reputacionin e Kosovës. Dhe “ata na e bënë atë” nuk është justifikim. Respektoni demokracinë. Bisedoni me njëri-tjetrin “, shkruan Kosnett në Twitter, transmeton Gazeta Sinjali.
Postimi i Kosnett është shpërndarë edhe nga ambasada amerikane në Kosovë.
Sulmi ndaj Avdullah Hotit ka ndodhur gjatë fundajvës, dyshohet se ka të bëj me paralajmërimin për heqjen e taksës ndaj Serbisë.
“Taksën s’bën me hjek. Taksën s’bën me hjekë”, dëgjohet të thotë personi, që dyshohet se ka hedhur vezët në drejtim të Hotit.
Lidhur me sulmin nuk raportohet për ndonjë të arrestuar. /Gazeta Sinjali/