Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier në një intervistë ka folur në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-SHBA. Hovenier ka deklaruar se dy shtetet janë miq të kahmotshëm dhe se SHBA do të qëndrojë gjithmonë përkrah Kosovës.
Tutje, ambasadori amerikan shtoi se ka marrëdhënie të mira me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, por theksoi se kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara.
“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë miq të kahmotshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Kosovës për kohë të gjatë dhe edhe Kosova i qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.
“Kemi marrëdhënie njëmend të mira me këtë qeveri. Kam marrëdhënie të mira personale me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti dhe kontaktet në mes të qeverive janë të forta dhe të fuqishme. Kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara sepse ta them sërish, kemi miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm”, ka thënë ai në një intervistë në ATV.
Vlen të theksohet se Kurti përgjatë qeverisjes së tij gati dy vjeçare është kritikuar për mungesën e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë.