image Ambasadori amerikan i kërkon sërish Kurtit heqjen e taksës

Kosovë

Takim i OSBE-së/ Ambasadori amerikan i kërkon sërish Kurtit heqjen e taksës

news image

Në Vjenë të Austrisë është mbledhur Këshilli i Përhershëm i OSBE-së, takim në të cilin po marrin pjesë të gjithë shefat e OSBE-së nga shtete të ndryshme, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për Kosovën në këtë takim ka raportuar ambasadori, Jan Braathu, i cili drejton zyrën e OSBS-së në Prishtinë.

Përfaqësuesi i SHBA-së në OSBE, Harry Kaiman ka thënë se ky ka qenë edhe mesazhi që i është dhënë presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të shtetit serb, Aleksander Vuçiq, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

“Ky është mesazhi që Presidentët Thaçi dhe Vuçiq morën në Uashington javën e kaluar. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se qeveria e Kosovës duhet të pezullojë taksën, dhe që të dy palët duhet të rinisur negociatat, për të zhbllokuar potencialin e plotë të vendeve të tyre”, ka thënë ndër të tjera Harry Kaiman.

Ambasadori amerikan në OSBE, Kaiman ka thënë se një stabilitet dhe paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor do të arrihet vetëm kur Kosova të jetë e integruar plotësisht si një partner i plotë.

Kaiman ka rikujtuar gjithashtu se normalizimi i raporteve me Serbinë është një prioritet për të cilin duhet angazhuar.

“Qeveria e kryeministrit Kurti tashmë ka një mundësi për të avancuar prioritetet e prezantuara, përfshirë normalizimin e raporteve me Serbinë, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rritjen ekonomike. SHBA-ja mirëpret hapat e fundit të qeverisë së re në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Kaiman.

Kaiman po ashtu ka bërë të ditur se Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e fokusuar për të avancimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ai ka thënë se Matthew Palmer dhe Richard Grenell janë duke punuar për të zhbllokuar ngërçin e raporteve Kosovë-Serbi.

Marrëveshjet e arritura së fundmi për për lidhjet ajrore, rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit, sipas Kaiman dëshmojnë se zgjidhjet praktike janë të mundshme duke treguar se qytetarët e të dy vendeve do të shohin përfitime të prekshme ekonomike nga normalizimi i raporteve.

Heqjen e menjëhershme të taksës pa kushte shtesë e kërkon me ngulm përfaqësuesi special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka ndërmjetësuar takimin Thaçi-Vuçiq në Uashington bashkë  me Robert O’Brien. /Gazeta Sinjali/