image Ambasada e Britanisë mesazh politikanëve kosovarë: Nuk është koha për manovrime politike

Kosovë

Politikë/ Ambasada e Britanisë mesazh politikanëve kosovarë: Nuk është koha për manovrime politike

news image

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka deklaruar se në këtë kohë krize me pandeminë Covid-19 nuk është koha për manovrime politike dhe se Kushtetuta e Kosovës  duhet të vazhdohet të respektohet nga qeveria në detyrë apo nga një qeveri e re.

Mbretëria e Bashkuar në Kosovë përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ka përshëndetur vendimin e qeverisë në detyrë për heqjen e tarifës ndaj mallrave Serbe.

“Pas votës së mosbesimit në Kuvend, Mbretëria e Bashkuar fton që Kushtetuta të vazhdojë të respektohet, dhe që vendimet të mirren shpejt që t’i mundësohet Qeverisë në detyrë, ose asaj të re që mbrojtja e jetës së qytetarëve të jetë konsiderata kryesore. Ne, Mbretëria e Bashkuar, jemi pranë popullit të Kosovës dhe të rajonit gjatë kësaj krize globale. Ne përshëndesim vendimin e Qeverisë në detyrë për hjeqjen e tarifave në mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina”, thuhet në deklaratë.

Tutje, thuhet se Britania e Madhe e përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga BE’ja mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të dërgojë në marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare që respekton integritetin territorial dhe normalizon marrëdhëniet bilaterale.

“Ne ritheksojmë përkrahjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe besojmë se mospajtimet, përfshirë barrierat jotarifore, mund të zgjidhen në këtë kornizë. Dialogu duhet të dërgojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, juridikisht detyruese, që respekton integritetin territorial dhe normalizon marrëdhëniet bilaterale, që është e pranueshme për qytetarët e të dy vendeve dhe që do të ofrojë përfitime afatgjata për ta dhe për të gjithë rajonin”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë./GazetaSinjali/

https://www.facebook.com/UKinKosovo/posts/1557938201031932