Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përkujtuar Adem Demaçin dhe Martin Luther Kingun, të cilët i quan ikona të të drejtave të njeriut të cilët mbahen mend si udhëheqës me ndikim dhe frymëzim.
Me këtë rast, kjo ambasadë ka cituar Demaçin i cili ka thënë se njerëzit duhet të jenë krijues të lirisë së tyre dhe ky, kishte thënë ai, është ligj i jetës i cili nuk ndryshon për hir të askujt.
“Nëse duam lirinë, ne, vetë ne, duhet të jemi krijuesit e lirisë sonë. Faktori i brendshëm është parësor për lirinë e fituar dhe faktori i jashtëm është sekondar. Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë”, citohet Demaçi.
Ambasada amerikane citon edhe avokatin më të njohur të shekullit XX për ndryshimet shoqërore jo të dhunshme, Martin Luther King i cili ashtu si Demaçi ka thënë se liria duhet të kërkohet.
“Ne e dimë përmes përvojës së dhimbshme se liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi, ajo duhet të kërkohet nga të shtypurit”, citohet Luther Kingu.
Përkujtimi i ambasadës përfundon me përshkrimin e Demaçit si aktivist dhe shkrimtar i shquar për të drejtat e njeriut, i cili kaloi 28 vjet në burgje të ndryshme në ish-Jugosllavi për mbrojtjen e tij pasionante të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, duke mbetur gjithmonë kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare./Gazeta Sinjali/