Në kohën kur talibanët po i afrohen kryeqytetit Kabul, burimet i kanë thënë televizionit amerikan, Fox News, se diplomatët amerikanë në ambasadën e ShBA-së në Afganistan po i shkatërrojnë dokumentet dhe pajisjet e ndjeshme.
Televizioni konfirmoi se zyrtarët janë duke shkatërruar dokumente dhe pajisje të ndjeshme në ambasadë.
Raportohet se në mesin e objekteve për shkatërrim janë edhe kompjuterët dhe telefonat.
National Public Radio raportoi se një dokument që po qarkullon në mesin e punëtorëve të ambasadës i udhëzon ata për t’i shkatërruar dokumentet dhe kompjuterët.
Të enjten, Presidenti Biden dha urdhër për dërgimin e 3 mijë trupave që t’i ndihmojnë 600 të tjerë në Afganistan për evakuimin e stafit të ambasadës nga frika se talibanët do të futen në Kabul brenda disa javësh.
The New York Times, raportoi të enjten se zyrtarët amerikanë kanë biseduar me talibanët për ta parandaluar sulmin ndaj ambasadës pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.
Raportohet se në këtë ambasadë punojnë rreth 4.000 persona, përfshirë 1.400 amerikanë. /GazetaSinjali/