image Sfida që Shqipëria nuk po mund ta kalojë sipas ambasadës amerikane

Politikë

Korrupsion/ Sfida që Shqipëria nuk po mund ta kalojë sipas ambasadës amerikane

news image

Komiteti Shqiptar në Helsinki ka zhvilluar projektin “Sinjalizimi i Korrupsionit në Shqipëri”.

Në këtë takim foli edhe Shefi i Marrëdhënieve me Publikun, Brian Beckmann, i ambasadës amerikane në Shqipëri.

Fjala e tij:

Mirëmëngjesi, Ambasadori Guusje Korthals Altes, Znj. Skendaj, Z. Dervishi, Z. Karaj, të dashur miq.

Para së gjithash, dua të uroj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për punën e tij për të zbatuar këtë nismë të rëndësishme kundër korrupsionit.

Të gjithë e dimë se korrupsioni është një sëmundje që dëmton shoqërinë, ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Kurimi është transparenca, përgjegjshmëria, një rritje e aksesit në informacion, dhe në fund të fundit një qytetari më e fuqishme – përfshirë fuqizimin e atyre që janë në pozita për të dëshmuar korrupsionin drejtpërsëdrejti.

Sot, lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. është në interesin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar partnerët tanë shqiptarë në këtë luftë.

Që nga kalimi i reformës në drejtësi, thirrjet publike për veprim kundër korrupsionit janë rritur. Këto thirrje kanë filluar të marrin përgjigje. Gjatë vitit të kaluar, ne kemi parë më shumë angazhim nga media për të raportuar praktika korruptive. Ne kemi parë organizata të ndërmarrin më shumë hapa drejt përmbushjes së rolit të tyre mbikqyrës. Politikat e nevojshme kanë filluar të zbatohen, me shumë prej tyre akoma në fazat e para të zbatimit.

Legjislacioni për mbrojtjen e sinjalizuesve është njëri prej tyre.

Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve është i rëndësishëm në luftën për të parandaluar dhe frenuar korrupsionin në sektorin publik dhe privat. Ai kërkon të mbrojë individët që identifikojnë praktikat e dyshuara korruptive në vendin e tyre të punës, duke u dhënë atyre besimin për të denoncuar.

Ndërsa qëllimet e ligjit janë të mira, faza e zbatimit mbetet pjesa më e vështirë e procesit. Ende ka shumë punë për të bërë.

Kjo është arsyeja që Ambasada e Sh.B.A vendosi të financojë nismën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për të monitoruar qeverinë dhe institucionet e tjera të pavarura në lidhje me zbatimin e ligjit. Përmes kësaj përpjekje, ne shpresojmë që jo vetëm të nënvizojmë praktikat pozitive, por edhe të identifikojmë problemet, hapësirat dhe pengesat që duhet të adresohen.

E gjithë kjo është pjesë e përpjekjeve të bashkërenduara të Ambasadës për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.

Siç kemi thënë shumë herë më parë, ne punojmë çdo ditë me institucionet që kërkojnë të mbështesin reformën gjyqësore dhe të luftojnë krimin e organizuar. Sepse së bashku, ne mund të vazhdojmë t’i përgjigjemi thirrjeve të popullit shqiptar për drejtësi.

Jam i sigurt se së bashku do të kemi sukses.

Faleminderit!