Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka kundërshtuar vendimin e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një kumtesë lidhur me tarifat, kjo ambasadë vlerëson se masat e reciprocitetit krijojnë më shumë probleme, në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet e deritanishme mund të krijojnë kushte për dialog të suksesshëm.
“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane./Gazeta Sinjali/