Ambasada amerikane në Kosovë, përkatësisht Sektori për Diplomaci Publike, ka demantuar lajmin e prestigjiozes ‘NBC News’, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kthejnë në Kosovë afganët të dyshimtë që dyshohet se kanë lidhje me talebanët ose grupe të tjera terroriste.
Kjo ambasadë, nëpërmjet një njoftimi për medie, ka sqaruar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, teksa ka sqaruar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së ka një numër të kufizuar qytetarësh afganë që do strehojnë përkohësisht.
“Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i lejon Shtetet e Bashkuara të strehojnë përkohësisht në kampin Bondsteel një numër të kufizuar qytetarësh afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë. Kjo mund të përfshijë detyra si: qartësimi i identitetit të aplikantëve, historinë e tyre të punësimit, ose lidhjet tjera me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë në këtë proces”, thuhet në njoftim.
Tutje, ambasada ka thënë se Shtetet e Bashkuara shprehin mirënjohje ndaj Kosovës që ka pranuar të strehojë përkohësisht afganët.
“Shtetet e Bashkuara i janë mirënjohëse Kosovës për rolin e saj në ndihmën e kryerjes së detyrës së madhe të zhvendosjes së dhjetëra mijëra qytetarëve afganë për në Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera, përfshirë partnerët e NATO-s, e që u kanë ofruar shtëpi të përhershme afganëve që janë në rrezik. Roli i Kosovës në këtë përpjekje është një mirënjohje për dhembshurinë dhe bujarinë e popullit të saj dhe për rolin në rritje të Kosovës në skenën globale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Mediumi NBC News ka raportuar me burime gjatë ditës së djeshme se dy afganë do të kthehen në Kosovë për rishikim të mëtutjeshëm, pasi që SHBA-ja ka dyshuar se të njëjtit mund të kenë lidhje me grupe terroriste.
Tutje, siç raportonte burimi, aty thuhej se të gjithë personat që kanë shqetësime të ngjashme do të rikthehen në Kosovë për rishikim.
Kosova deri më tani ka evakuuar rreth 500 afganë, të cilët po qëndrojnë pranë kampit të ‘Bondsteel’-it në Ferizaj.