image Aliti e Rashica deklarohen pas stërvitjes, presin rezultat pozitiv ndaj Suedisë - Sinjali

Aliti e Rashica deklarohen pas stërvitjes, presin rezultat pozitiv ndaj Suedisë

news image

Dardanët përfunduan seancën e fundit stërvitore para ndeshjes të së shtunës ndaj Suedisë, transmeton Sinjali Sport.

Kosova niset të premten në mëngjes drejt Suedisë, ku edhe do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin “Friends Arena” në Solna të Stokholmit, në orën 18:00.

Pas stërvitjes së sotme, opinionet e tyre rreth stërvitjeve dhe pritjeve për duelin me Suedinë i dhanë Fidan Aliti dhe Milot Rashica.

“Moti ishte pak i vështirë, por ne si futbollistë jemi mësuar të stërvisim edhe në këso kushte. Madje, mendoj se kjo ka qenë një përgatitje e mirë për Suedi, ngase edhe atje na pret një mot i tillë. Kësaj radhe kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme për neve dhe besoj se secili prej neve është 100 përqind i gatshëm për lojë.

Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kemi luajtur para “Dardanëve” dhe normalisht se çdo herë ndjehemi krenar kur luajmë para tyre. Një falënderim i madh shkon për ata, ngase vazhdimisht na përkrahin kudo që shkojmë. Njëjtë do të jetë edhe në Suedi dhe besoj se edhe ne do t’ua bëjmë një dhuratë me rezultat pozitiv”, u shpreh Aliti.

Ndërkaq, Milot Rashica ka shprehur shpresën që Kosova do të ketë paraqitje të mirë sikurse në ndeshjet e muajit shtator dhe do të arrijë të kthehet me rezultat pozitiv.

“Sot ka qenë një stërvitje më e lehtë, duke pasur parasysh se dje ka qenë intensiteti shumë më i madh. Gjatë gjithë javës kemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sigurisht se do të shkojmë për rezultat pozitiv. Në këtë grumbullim kemi pasur më shumë ditë në dispozicion së bashku dhe besoj që kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi.

Duke pasur parasysh lojën e mirë kundër Spanjës, ku përveç rezultatit negativ, kemi krijuar shumë raste, shpresoj se në këtë ndeshje do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë rastet që na jepen dhe do t’i gëzojmë tifozët tanë”, përfundoi anëtari i Norwichit.

/Gazeta Sinjali Sporti/


Shpërndaje artikullin