Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti e ka cilësuar një moment të rëndësishëm projektin e Ballkanit të Hapur, ndërsa u shpreh se ky proces i afron vendet me BE. Duke folur për vështirësitë e Kosovës për t’u bërë pjesë e nismës duke pasur aty edhe Serbinë, Ahmeti tha se mes kombit shqiptar dhe atij serb duhet një pajtim.
“Çështja e Ballkanit të Hapur është vazhdimësi e procesit të Berlinit. E mbështet edhe BE edhe SHBA dhe është si një moment i rëndësishëm për të afruar vendet në BE sepse këto vende kanë specifika të ndryshme. Sigurisht duhet para një afrim dhe parapërgatitje për t’u anëtarësuar në BE. Nuk është temë që imponohet. Kosova i ka politikat e veta dhe sheh rreziqet e veta. Nuk është e imponueshme. Pasi të analizohet mirë nga autoritetet e Kosovës sepse është çështje e hapur. Është analizë që e do e bëjmë vendet e përkatëse. Më pyetën disa mërgimtarë më thanë do na bëni prapë Jugosllavinë. Thashë më thoni sa pritet në kufi kur erdhën. Më thanë 5 orë pritën. U thashë kjo iniciativë është që mos prisni asnjë minutë. Nëse kjo marrëveshje i dëmton shqiptarët edhe mund të tërhiqesh nga marrëveshja”, tha Ahmeti.
Më tej gjatë një interviste në abc news, Ahmeti tha se ky proces nuk duhet të ndikojë negativisht raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa pranoi se sigurisht me Serbinë për Kosovën nuk është e lehtë.
“Mendoj se ky proces nuk duhet të ndikojë në raporte të këqija mes Kosovës dhe Shqipëria. Shqipëria po i bën 109 vite pavarësi dhe eksperienca e një shteti matet nga lashtësia e një shteti. Mund të ndërtohet qëndrime të përbashkëta për tema madhore dhe të rëndësishme. Marrëdhëniet mes vendeve fqinje janë shumë të rëndësishme. Anëtarësimi në BE është shumë i rëndësishëm. Me Serbinë nuk them se është e lehtë sepse Kosova akoma numëron njerëzit e zhdukur, që nuk i ka gjet dot, mirëpo me hasmëri shekullore nuk ecet përpara. Nuk është e lehtë për Kosovën dhe i kuptoj unë autoritetet e Kosovës. Nuk mendoj që edhe Shqipëria nuk mendon se Kosova nuk ka plagë të rënda. Sepse edhe vetë Shqipëria ka djem të saj që i ka humbur në Kosovë. Ne na duhet një pajtim mes kombit shqiptar dhe kombit serb. Ose të vendosemi do hakerremi dhe çka na sjell hakmarrja? Kemi dy rrugë. Të tretë nuk ka. A do pajtohemi apo do përsërisim edhe një herë historinë se kush është më i fortë”, u shpreh Ahmeti.