image Albulena Haxhiu planifikon vizitë në veri të vendit

Kosovë

Politikë/ Albulena Haxhiu planifikon vizitë në veri të vendit

news image

Ministrja e re e Drejtësisë, Albulena Haxhiu planifikon që të vizitojë veriun e vendit për të parë nga afër punë e institucioneve në atë pjesë të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Haxhiu tha se shqetësim mbetet ndikimi i Beogradit ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke shtuar se institucionet e drejtësisë në veri të vendit kanë paralajmëruar bojkotimin e punës dhe greva në rast se taksa vazhdon të mbetet në fuqi.

“Unë nuk kam pasur asnjëherë vizitë atje për të parë për së afërmi se sa ka gjetur zbatim, natyrisht ndër planet e mia do të jetë edhe vizita atje dhe për të parë punën e institucioneve atje”, u shpreh Haxhiu në një intervistë për EO.

Ajo ka theksuar se shqetësimi i saj kryesor është varësia e institucioneve në veri të vendit nga Beogradi.

“Besoj që institucionet atje nuk duhet ta varen nga Beogradi, ato janë institucionet e drejtësisë që duhet të punojnë në shërbim të qytetarëve. Do të marr një raport se si është gjendja, a bashkëpunojnë institucionet atje me këshillat përkatëse këtu dhe pastaj do ta planifikojë agjendën”, ka shtuar Haxhiu.

“Unë kam qenë kritike për faktin se e kam konsideruar si një proces politik, nuk është dashur që kjo marrëveshje të nënshkruhet në Bruksel. I takon institucioneve të drejtësisë që të punojnë në këtë drejtim.”,  ka thënë Haxhiu kur ka folur për marrëveshjen për drejtësi Kosovë-Serbi.

Ministrja e re e Drejtësisë poashtu ka theksuar se nuk ka ende të dhëna në lidhje me rastet e krimit të organizuar dhe kontrabandës dhe korrupsionit në veri të vendit, por që beson se këto fenomene janë shumë të shprehura në atë pjesë.

“Prandaj  nëse vendosim themelet e shteti të së drejtës, natyrisht që rastet e tilla qoftë në veri apo kudo tjetër nuk do të lejohen”, ka thënë Haxhiu.

Këtë të hënë janë bërë 5 vite që kur kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa ka nënshkruar në Bruksel një marrëveshje për drejtësinë me Aleksandër Vuçiqin./Gazeta Sinjali/