image Albright falënderon Kosovën që u tregua e gatshme t’i pranojë afganët

Botë

Albright falënderon Kosovën që u tregua e gatshme t’i pranojë afganët

news image

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka falënderuar shtetet që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e mijëra afganëve, ku ndër ta është edhe Kosova.

Albright përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka shprehur mirënjohje duke e përmendur edhe Kosovën në mesin e shteteve që ishin të gatshme për të ndihmuar në strehimin e afganëve.

Ne duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull”, ka shkruar Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka folur për kërkesën e SHBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve, duke theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kosnett. Ajo tha se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.

Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfidenciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani.

Tutje, Osmani thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, “ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë”.

Ajo shprehet se askush më mirë sesa Kosova nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur. /GazetaSinjali/