image Albin Kurti shkeli parimet e veta me ofertën e fundit ndaj LDK-së për pazare politike

Kosovë

Politikë/ Albin Kurti shkeli parimet e veta me ofertën e fundit ndaj LDK-së për pazare politike

news image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i mandatuari për formimin e qeverisë, Albin Kurti, nuk e ka të pamundur ta pranojë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës. Por për këtë, Kurti po kërkon një pazar ‘lirë dhe mirë’ për veten dhe partinë e tij.

Sado që publikisht dorëheqja e Konjufcës është përshkruar si e pamundur nga Lëvizja Vetëvendosje, Gazeta Sinjali ka marrë vesh nga burime të sigurta se Kurti kishte pranuar që ta shkarkonte Glauk Konjufcën nga posti i kryeparlamentarit, por me kushtin që LDK të hiqte dorë nga posti i presidentit.

Ky propozim është bërë në takimin e fundit të zhvilluar mes përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nën prezencën e ambasadorëve të QUINT-it, ku kreu i LVV-së propozoi edhe oferta tjera.

Njëra ndër ofertat tjera të Kurtit kishte qenë edhe ajo që LDK të hiqte dorë nga posti i kryeparlamentarit në këmbim të një ministrie tjetër, duke aluduar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Një ofertë e tillë ishte refuzuar nga LDK-ja.

Deri më tani nga Lëvizja Vetëvendosje jepej një arsyeje krejt tjetër për mos shkarkimin e Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit. Nga kjo parti e cilësonin si tallje me Kuvendin e Kosovës shkarkimin e Konjufcës, emërimin e një personi nga LDK-ja dhe riemërimin e Konjufcës përsëri pas një viti.

“Ne nuk kemi pranuar propozimin e LDK-së për shkak se është përmbysje e vullnetit të 75 deputetëve, është tallje për postin e kryeparlamentarit se fillimisht të zgjidhet, tani të shkarkohet të emërohet dikush tjetër, e pas një viti të emërohet përsëri dikush tjetër. Kjo është tallje me qytetarët e Kosovës”, kishte thënë Albulena Haxhiu, pas takimit të fundit mes LDK-së dhe VV-së.

Seanca e 26 dhjetorit kishte ndryshuar rrënjësisht bisedimet mes LDK-së dhe VV-së, ku Glauk Konjufca ishte zgjedhur kryetari i Kuvendit të Kosovës. Që nga ajo datë Vetëvendosje këmbëngulte në postin e kryeparlamentarit, për shkak se sipas tyre ndryshe do të ishte tallje me Kuvendin e Kosovës.

Por në fakt një gjë e tillë nuk po rezulton të jetë aspak e sinqertë nga Lëvizja Vetëvendosje. Glauk Konjufca nuk po largohet nga ky post për qëllime tjera, e jo për faktin se do të bëhej tallje me Kuvendin e Kosovës.

Dje Kurti ia ka drejtuar Kryesisë së Kuvendit kërkesën për caktimin e seancës plenare për t’u miratuar përbërja e qeverisë që do të propozohet nga ai. Seanca ku pritet të votohet Qeveria Kurti do të mbahet më 3 shkurt në orën 11:00. /Gazeta Sinjali/