Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka marrë një letër falënderimi nga kandidati për kancelar të Gjermanisë Olaf Scholz.
Kjo pasi Kurti i kishte dërguar atij një urim me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare në Gjermani.
Në letrën e Scholz, shkruan se rezultatet zgjedhore kanë treguar se shumica e votuesve gjermanë duan qeveri progresiste që forcon respektin e ndërsjellë dhe kohezionin shoqëror.
“Duan një Qeveri që përballet me çështjet e së ardhmes, si ristrukturimi i qëndrueshëm i ekonomisë sonë, mbrojtja e klimës dhe banimi i përballueshëm. Një qeveri që ngritet me tërë energjinë për një Evropë sovrane dhe të bashkuar”.
Letra e plotë:
I nderuari Kryeministër,
I dashuri Albin,
Ju falënderoj për letrën dhe dëshirat e mira. Tashmë kemi lënë pas fushatën ngazëllyese zgjedhore. Partia Socialdemokrate e Gjermanisë doli nga zgjedhjet për Bundestagun si partia më e fortë dhe ka ambicien për të udhëhequr me qeverinë e re federale.
Rezultatet zgjedhore tregojnë që shumica e votuesve duan qeveri progresiste që forcon respektin e ndërsjellë dhe kohezionin shoqëror. Duan një Qeveri që trajton çështjet urgjente të së ardhmes, si ristrukturimi i qëndrueshëm i ekonomisë sonë, mbrojtja e klimës dhe banimi i përballueshëm. Një qeveri që ngritet me tërë energjinë për një Evropë sovrane dhe të bashkuar.
Dua ti shprehë falënderimet më të sinqerta për përkrahjen e madhe nga e gjithë Evropa.
Përshëndetjet më të ngrohta,
Olaf Scholz
Kandidat për Kancelar të Gjermanisë nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë